Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ), në partneritet me Rrjetin SIGN dhe me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, lanson Thirrjen për Aplikime për programin "Ndërtimi i Qëndrueshmërisë”. Ky program synon t’ua mundësojë OShC-ve në nivel lokal që të ndërtojnë partneritete me donatorët e rinj potencialë në komunitetet e tyre, ta avancojnë vizionin dhe planifikimin financiar afatgjatë të tyre dhe ta rrisin qëndrueshmërinë e tyre duke e shtuar dukshmërinë dhe ndikimin e tyre.

Ndërtimi i Qëndrueshmërisë është pjesë e projektit "Regjistrohu për Ndikim", i cili zbatohet nga SIGN - Rrjeti i Krijuesve Indigjenë të Granteve  të Evropës Juglindore - dhe mbështetet nga Bashkimi Evropian, nëpërmjet programit "Konsolidimi i Rrjeteve Tematike Rajonale të Organizatave të Shoqërisë Civile". Objektivi i përgjithshëm i këtij projekti është që ta shtojë ndikimin e shoqërisë civile në proceset e politikëbërjes dhe vendimmarrjes në Serbi, Mal të Zi, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë dhe Maqedoni, duke e përmirësuar mjedisin ligjor dhe financiar për zhvillimin e filantropisë dhe duke kontribuar në qëndrueshmërinë, pavarësinë financiare dhe legjitimitetin më të madh të shoqërisë civile.  Ky projekt do të realizohet deri në vjeshtën e vitit 2021 në pesë vende të rajonit të Ballkanit Perëndimor nga Fondacioni Trag (Serbi), Fondi për Qytetari Aktive (Mali i Zi), Fondacioni Mozaik (Bosnjë dhe Hercegovinë), Forumi për Iniciativa Qytetare (Kosovë), Shoqata HORUS (Maqedoni) dhe Fondacioni Catalyst Balkans (Serbi).

Thirrja për Aplikime është e hapur për të gjitha OShC-të e regjistruara në territorin e Kosovës, të cilat janë themeluar qe më shumë se një vit dhe territori kryesor i veprimtarisë të së cilave është komuniteti (fshati, komuna, qyteti) ku janë regjistruar. Luteni të vini re se individët, bizneset, institucionet shtetërore, organet qeveritare, vetëqeverisjet lokale, institucionet publike dhe arsimore, organizatat ndërkombëtare, organizatat dhe partitë politike si dhe OShC-të që veprojnë përtej nivelit lokal nuk kanë të drejtë të aplikojnë.

Përshkrimi i programit

Organizatat lokale të shoqërisë civile (OShC-të) e përzgjedhura për të marrë pjesë në këtë program do të marrin mbështetje të dyfishtë - (I) ngritja e kapaciteteve për komunikim me komunitetin dhe mobilizim të burimeve lokale (II) zbatimi i procesit të mbledhjes së fondeve dhe dhënies së nëngranteve. Pritet që të gjitha aktivitetet e programit të zbatohen nga data 1.2.2019 deri më datën 31.12.2019.

I - Ngritja e kapaciteteve në mobilizimin e burimeve lokale

  • Faza e përzgjedhjes - Pas afatit të fundit të Thirrjes për Aplikime dhe duke u bazuar në kriteret e programit Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ) do t’i përzgjedhë deri në 10 OShC për të marrë pjesë në program;
  • Komponenti për ngritjen e kapaciteteve - Dy përfaqësues të OSHC-ve të përzgjedhura të nivelit lokal do të marrin pjesë në dy module trajnimi në (I) një trajnim treditor për bazën e diversifikimit të fondeve dhe mobilizimit të resurseve lokale, parimet dhe burimet e financimit, teknikat për mbledhjen e fondeve, ndërtimin e rastit për mbështetje dhe përdorimin e softuerit CiviCatalyst (II), një trajnim dyditor ku OShC-të pjesëmarrëse do të jenë në gjendje ta finalizojnë kauzën e mbledhjes së fondeve, planin e mbledhjes së fondeve dhe rastin organizativ për mbështetje. Modulet e trajnimit do të mbahen gjatë muajit shkurt të vitit 2019. Luteni ta keni parasysh se pjesëmarrja në modulet e trajnimit është e detyrueshme për të dy përfaqësuesit e OSHC-ve pjesëmarrëse në nivel lokal;
  • Mbështetja – Përveç aktiviteteve për ngritje të kapaciteteve, secila organizatë do të marrë mbështetje konsultative për ta zhvilluar kornizën e tyre strategjike dhe për ta dizajnuar kauzën për mbledhje të fondeve. Mbështetjen për OJQ-të në nivel lokal do ta ofrojë Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ);
  • Përgatitja e planeve për mbledhjen e fondeve - Deri më datën 15.3.2019, OShC-të e nivelit lokal që janë përzgjedhur për të marrë pjesë në program do t’i hartojnë dhe dorëzojnë projektpropozimet përfundimtare që përmbajnë përshkrime më të detajuara për kauzën e mbledhjes së fondeve dhe planet konkrete për mbledhje të fondeve. Pritet që procesi i ndërtimit të kapaciteteve do ta pajisë secilën OShC pjesëmarrëse me njohuri për t’i vlerësuar kapacitetet e saj dhe për ta hartuar një plan real për mbledhje të fondeve që do t’u përshtatet më  së miri nevojave dhe aseteve të komunitetit lokal të tyre.

II – Realizimi i procesit të mbledhjes së fondeve dhe dhënies së nëngranteve

Nga OShC-të e përzgjedhura do të kërkohet që ta dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm financiar para marrjes së ndonjë fondi nga Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ)

  • Mbështetja teknike - Për t’i realizuar aktivitetet për mbledhjen e fondeve, secilës OShC pjesëmarrëse do t’i ofrohet mbështetje teknike prej 700 eurove. Mbështetja teknike është menduar t’i mbulojë shpenzimet e nevojshme të realizimit të fushatës së mbledhjes së fondeve dhe mund të përdoret për fushatat e vogla në internet dhe jashtë tij, për materiale promovuese dhe për gjëra të tjera të ngjashme;
  • Mbledhja e fondeve – Nga marsi i vitit 2019, OShC-të pjesëmarrëse në nivel lokal do të nisin t’i realizojnë fushatat e tyre për mbledhjen e fondeve, duke mbledhur fonde nga donatorët individualë dhe të përbashkët në komunitetin lokal të tyre; Është paraparë që fushatat për mbledhjen e fondeve të zgjasin deri në 6 muaj. Procesi i mbledhjes së fondeve do të jetë konkurrues midis OJQ-ve pjesëmarrëse të nivelit lokal, që do të thotë se ato që e arrijnë cakun e tyre për mbledhje të fondeve të parat do të merren në konsideratë të parat për grantin e përputhshëm;
  • Sigurimi i grantit të përputhshëm – Ky grant do t'u jepet atyre OSHC-ve pjesëmarrëse të nivelit lokal të cilat e arrijnë të parat shumën e synuar të tyre për mbledhje të fondeve. Fondi i përgjithshëm për grantet e përputhshme është 28,000 euro. Pasi ta përfundojnë fushatën e tyre për mbledhjen e fondeve, secila OShC pjesëmarrëse e nivelit lokal do të dorëzojë një raport për fondet që i ka mbledhur, ndërsa Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ) do t’ia ofrojë një grant për fondet e mbledhura nga individët dhe kompanitë në shumën prej deri në 4,000 euro;
  • Zbatimi i aktiviteteve – Pas pagesës së grantit të përputhshëm, OShC-të pjesëmarrëse do ta zbatojnë iniciativën për të cilën kanë mbledhur fonde. Pas përfundimit të zbatimit të iniciativës, marrëset e granteve të përputhshme do të jenë të obliguara që t’ia dorëzojnë një raport përfundimtar narrativ dhe financiar Forumit për Iniciativa Qytetare (FIQ).

Gjatë të dyja fazave të programit, të gjitha OShC-të pjesëmarrëse në nivel lokal do të marrin mbështetje nga Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ) si për hartimin e planit për mbledhje të fondeve, ashtu edhe për zbatimin e tij.

Në fund të këtij procesi, Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ) do ta organizojë modulin e tretë të trajnimit, ku OShC-të pjesëmarrëse të nivelit lokal do të mund t’i shkëmbejnë përvojat e tyre në mbledhjen e fondeve dhe t’i shfaqin praktikat më të mira dhe mësimet e mësuara.


Aplikantët e programit

Ky program është menduar për vendimmarrësit në organizatë që janë në gjendje t’i kushtojnë kohë hartimit të planit për mbledhjen e fondeve në kontekstin e një strategjie organizative më të gjerë. Është po ashtu e rëndësishme që ata të marrin pjesë aktive në të gjitha aktivitetet e planifikuara.

Idealisht, iniciativat e propozuara duhet të jenë në fushën e: zhvillimit të komunitetit lokal, mbrojtjes së mjedisit, përfshirjes sociale, zhvillimit socio-ekonomik, çështjeve të grave, fuqizimit gjinor, sipërmarrjes sociale, punësimit të të rinjve dhe anti-diskriminimit. Luteni ta keni parasysh se të gjitha OSHC-të duhet ta prezantojnë një kauzë për mbledhje të fondeve d.m.th. një ide konkrete të projektit për të cilën synojnë të mbledhin fonde. Shuma minimale që aplikantët duhet të synojnë ta mbledhin në komunitetin lokal është 2,000 euro.

OShC-të që janë mbështetur më parë përmes Akademisë së Qëndrueshmërisë, program ky që është realizuar nga Rrjeti SIGN midis viteve 2013-2016, që janë financuar nga Bashkimi Evropian dhe që janë bashkëfinancuar nga Trusti Ballkanik për Demokraci, nuk kanë të drejtë të aplikojnë.

Shuma e grantit

Granti i parë në kuadër të këtij programi do të jetë granti teknik në shumën prej 700 eurove që do të merret nga të gjitha 10 OShC-të në nivel lokal të përzgjedhura për të marrë pjesë në program. Pas kësaj, OSHC-të pjesëmarrëse të nivelit lokal që e arrijnë cakun e tyre për mbledhje të fondeve në mënyrën më efikase dhe më efektive do ta marrin një grant të përputhshëm në shumën prej deri në 4,000 euro, varësisht nga shuma e fondeve që i mbledhin. Në fakt, ky grant do t’i dyfishojë fondet që OShC-ja së cilës i jepet granti i ka mbledhur gjatë procesit, kështu që investimi i mundshëm në komunitetin lokal të caktuar mund të jetë deri në 8,000 euro. Kur e përcakton shumën e granteve të përputhshme, Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ) do t’i pranojë vetëm fondet e mbledhura nga individët dhe kompanitë në komunitetin lokal. Fondet e mbledhura nga institucionet publike, qeverisja lokale dhe fondacionet nuk konsiderohen si të pranueshme.

Fondi i përgjithshëm i grantit të përputhshëm është 28,000 euro, që së pari do t’u shpërndahet 7 OShC-të pjesëmarrëse të para që e mbledhin  shumën maksimale të grantit të përputhshëm (4,000 euro). Nëse caqet për mbledhjen e fondeve janë më të ulëta se 4,000 euro, Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ) mund të vendosë që t’i ndajë më shumë se 7 grante. Nëse disa nga OShC-të pjesëmarrëse të nivelit lokal tërhiqen nga procesi i ndërtimit të kapaciteteve apo nuk ia dalin ta arrijnë shumën maksimale për mbledhjen e fondeve, çdo fond i mbetur do t'u shpërndahet OSHC-ve pjesëmarrëse më të suksesshme të nivelit lokal në formë të grantit bonus. Kriteret për vlerësimin e OShC-ve pjesëmarrëse më të suksesshme të nivelit lokal do ta demonstronin diversifikimin e burimeve dhe potencialin për përkrahje afatgjate (siç janë kontratat afatgjata, zotimet, donacionet në formë të urdhërpagesave periodike etj.)

Pranueshmëria e financimit

Grantet e dhëna në kuadër të këtij projekti mund të përdoren për studime bazë; lehtësim të kontakteve, konsultime dhe diskutime midis aktorëve të ndryshëm në komunitetet lokale; aktivitete të komunikimit dhe  informimit që synojnë mbështetjen e konsultimeve me aktorët lokalë; organizim të konferencave, tryezave të rrumbullakëta, punëtorive dhe seminareve; aktivitete që kanë të bëjnë me avokimin; aktivitete të monitorimit; aktivitete të  ngritjes së vetëdijes publike; botim të fletushkave, doracakëve dhe materialeve të ngjashme; aktivitete për gjenerim të të ardhurave; komunikim në raport me nivelin lokal dhe OShC-të lokale të tjera; zhvillim të sipërmarrësisë; hartim të planeve të biznesit (dhe strategjive të tjera për qëndrueshmëri); aktivitete të ndryshme për mbledhje të fondeve (ngjarje për mbledhje të fondeve, mbledhje të fondeve në shuma të vogla nga shumë donatorë, ankande të bamirësisë dhe ngjarje të ngjashme); komunikim, dukshmëri dhe marrëdhënie me aktivitetet që ndërlidhen me mediat (siç janë drekat me përfaqësues të mediave, ngjarjet dhe artikujt e shtypit dhe të ngjashmet); aktivitete të organizimit dhe zhvillimit të komunitetit; ofrim të trajnimeve; hulumtime të bazuara në komunitet; aktivitete të edukimit joformal .

Procedura e aplikimit

Për të aplikuar për këtë Thirrje për Aplikim, OJQ-të e nivelit lokal duhet ta dorëzojnë një Formular të Aplikimit të plotësuar. Në formular duhet të jepen informata themelore për (a) kapacitetin organizativ dhe përvojat e mëparshme (b) lidhjet me komunitetin dhe aktorët relevantë në nivelin lokal (c) motivimin për mbledhje të fondeve dhe pjesëmarrje në program (d) idenë fillestare të projektit (kauzën për mbledhje të fondeve).

Formulari i aplikimit mund të plotësohet dhe dorëzohet online. Përndryshe, mund të plotësohet offline dhe të dërgohet në këtë e-mail adresë: sign@fiq-fci.org ose në Rr. Pashko Vasa Nr.1 - Prishtine, 10000 - Kosovë. Të gjitha organizatat që e përfundojnë procesin e aplikimit me sukses do ta marrin një konfirmim se aplikimi i tyre do të merret në konsideratë nga Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ).

Kriteret e përzgjedhjes

Sapo të pranohet Formulari i Aplikimit, stafi i Forumit për Iniciativa Qytetare (FIQ) do ta krijojë një listë të ngushtë të aplikimeve, duke i krahasuar ato me kriteret themelore. Aplikacionet e futura në listën e ngushtë do të vlerësohen pastaj nga komisioni i pavarur i përzgjedhjes, i cili do t’i përzgjedhë deri në 10 OShC për të marrë pjesë në aktivitetet e ndërtimit të kapaciteteve.

Kriteret e përzgjedhjes janë si vijon:

  • Kapaciteti dhe motivimi i demonstruar për t’i identifikuar burimet e reja të financimit brenda komunitetit të tyre;
  • Rëndësia e rezultateve që i kanë arritur deri tani në komunitetin e tyre dhe niveli i kapaciteteve të tyre për menaxhim të projekteve dhe financave;
  • Numri i përdoruesve dhe fushëveprimi i grupit të synuar të tyre; ndryshimi social që e kanë arritur në komunitetin në të cilin veprojnë;
  • Ideja fillestare e projektit;
  • Kapaciteti i vlerësuar i OSHC-së në nivel lokal për të mbledhur fonde për këtë kauzë;
  • Përzgjedhjen përfundimtare të OSHC-ve pjesëmarrëse të nivelit lokal do ta bëjë Komisioni Përzgjedhës i pavarur.

Afati i fundit për dorëzim

Aplikacionet do të pranohen deri më datën 21.1.2019

Me mirësi po ju lusim që për këtë program të aplikoni me kohë. Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ) nuk është i detyruar t’i pranojë aplikacionet që dorëzohen pas afatit të caktuar për shkak të rrethanave teknike apo rrethanave të tjera të paparashikuara.

Rezultatet e Thirrjes për Aplikim duhet të bëhen të ditura deri më datën 05.2.2019. Për çdo pyetje shtesë, luteni që me FIQ-in të kontaktoni në +381 (38) 610 677 ose të dërgoni e-mail në info@fiq-fci.org.

Luteni ta keni parasysh se 5 OJQ-të pjesëmarrëse më të suksesshme të nivelit lokal do të ftohen të marrin pjesë në trajnimin e avancuar rajonal që do të mbahet në pranverë të vitit 2020, me pjesëmarrjen e 20 OShC-ve të tjera që do të vijnë nga 4 vendet e tjera që janë të përfshira në këtë iniciativë. Këto OShC do të zgjidhen duke u bazuar në (a) cilësinë e Rastit të tyre për Mbështetje, (b) aftësinë për ta mbledhur shumën maksimale, (c) aftësinë për të angazhuar donatorë të ndryshëm dhe të shumtë në kauzën e tyre; d) aftësinë për t’i përdorur teknikat më inovative për mbledhjen e fondeve.

Donatorët e FIQ: