FIQ dhe Saferworld përmbyllin serinë e debateve me EULEX-in nëpër Kosovë

Shefi i Misionit të EULEX-it, Yves de Kermabon, tha në këtë debat se misioni që ai drejton do të mbështes autoritetet e Kosovës përmes monitorimit, këshillave dhe udhëzimeve në të gjitha fushat që ndërlidhen me sundimin e ligjit, në sektorin e policisë, gjyqësisë dhe doganave, me qëllim të ndërtimit të institucioneve të qëndrueshme në pajtim me standardet evropiane. “Roli i EULEX-it gjithashtu është që të ndihmojë në zhvillimin e gjyqësorit, policisë dhe doganave të paanshme dhe shumëtnike, e gjithashtu të sigurojë se këto institucione janë të lira nga ndërhyrjet politike”, tha Kermabo, duke premtuar edhe ndërtimin e partneritetit të fortë me shoqërinë civile.
Të organizuara nga Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ) dhe Saferworld, në partneritet me Rrjetin për Mbikqyrje Civile të Sektorit të Sigurisë, këto debate janë mirëpritur nga qytetarët dhe shoqëria civile, duke u parë si mundësi të volitshme për të mësuar, pyetur dhe sygjeruar për veprimet praktike të këtij misioni.
Në debatet e mbajtura në Pejë, Gjilan, Ferizaj, Gjakovë, Prizren, Obiliq, Mitrovicë dhe Prishtinë, pjesëmarrësit kanë pyetur për punën që do ta bëjnë prokurorët, gjykatësit dhe policët e EULEX-it në lëndët rreth krimeve të rënda, krimit të organizuar, korrupcionit, të drejtave të njeriut, uzurpimit të pronave, pastaj formën sesi do të zbatohet monitorimi i punës së institucioneve vendore, qasjet dhe limitet e ndërhyrjes në punën e insitucioneve vendore.
Në Mitrovicë, pjesëmarrësit kanë shtruar pyetje që lidheshin me fatin e qytetit të ndarë, rolin e UNMIK-ut, luftimin e krimit të organizuar, veprimet e strukturale paralele serbe, shtrirjen e autoritetit të EULEX-it dhe kthimin e sundimit të ligjit në këtë pjesë të vendit ku ende mbretëron anarkia.

Në Obiliq, pjesëmarrësit serbë, qytetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile kanë kërkuar ndihmë nga zyrtarët e EULEX-it për fatin e njerëzve të zhdukur gjatë luftës, për shumë çështje që lidheshin me uzurpimin e pronave, funksionimin e doganave në veri të Kosovës dhe brengave të tjera, ndonëse zyrtarët e EULEX-it shtrëngoheshin të përgjigjeshin për raste individuale që ishin jashtë mundësive dhe përgjegjësive të tyre.
Në të gjitha debatet, në përbërjen e panelit diskutues merrnin pjesë zyrtarë të tri komponenteve të EULEX-it, drejtësisë, policisë dhe doganave, dhe përfaqësues të pushtetit komunal, gjyqësisë e prokurorisë dhe policisë së Kosovës.

Këto debate janë mbështetur financiarisht nga Qeveria gjermane dhe britanike, si pjesë e programit të përbashkët të punës së FIQ dhe Saferworld, të quajtur “Vend i Sigurtë”.