Papunësia, shkaktari kryesor i ikjes të të rinjve (Video)

01/12/2014

55 për qind e të rinjve janë të papunë dhe ky konsiderohet shkaku kryesor që të rinjtë marrin rrugën e mërgimit. Kështu u tha në konferencën e organizuar nga Forumi për Iniciativa Qytetare me temën "Papunësia e të rinjve dhe iniciativat filantropike për krijimin e mundësive për ta".

Drejtoresha ekzekutive e FIQ, Dajana Berisha tha se çështja e migrimit është njëra nga problemet më kritike të vendit. Ajo tha se sipas të dhënave, vetëm në periudhën janar-tetor, 8 mijë kosovarë janë larguar nga vendi.

Ajo tha se sipas të dhënave 55.9 për qind e të rinjve në Kosovë janë të papunë, që është numri më i lartë i papunësisë në rajon.

"Kjo është një situatë mjaft kritike dhe e ndjeshme për të gjithë qytetarët e Kosovës, veçanërisht për të rinjtë dhe kjo konferencë vjen në suazën e zhvillimeve të ditëve të fundit, ku po përballemi me ikje masive të qytetarëve, për arsye ekonomike, sociale dhe pasigurie politike".

"Vetëm prej janarit dhe tetorit janë 8 mijë kosovarë të larguar dhe nuk dihet se a janë kthyer, a janë pranuar".

"Numri më i papunësisë është i lartë dhe për shkakun se Kosova ka mbi 70 për qind të popullsisë që konsiderohet moshë e re 15-35 vjeçare dhe kjo e bënë më të ndjeshëm problemin sepse është një numër i madh pra që nuk sheh perspektivë në vend dhe është një shkaqet kryesore të migrimit të kohëve të fundit është edhe ky fakt".

"Sipas Agjencisë Kosovare të Statistikave, papunësia e të rinjve në Kosovë konsiderohet 55.9%, që konsiderohet si shkalla më e lartë e papunësisë më e larta në rajon".

"Shifrat më të larta të të papunëve tek të rinjtë konsiderohen prej 15-24 vjeç me 55.9%, ku 50.4 % janë meshkuj dhe 68.4% femra", tha Berisha.

Agon Demi nga instituti GAP tha se institucionet kanë qasje të gabuar karshi parandalimit të migrimit.

"Zakonisht po ndodhë që mediat dhe shoqëria të ngrinin një debat publik, për një dukuri negative sic është ajo e migrimit masiv, para se institucionet publike të ndodhin diçka. Vetëm pas këtyre raportimeve kemi mobilizim të institucioneve për ta trajtuar këtë dukuri por me metoda të gabuara. Mendoj që duke i ndalur në kufi njerëzit që të mos lejohen të dalin jashtë vendit apo duke bërë fushata kundër ikjes jashtë vendit, është qasja e gabuar për të zgjidhur këtë problematik, për shkak se ata janë në dijeni që do të kenë shumë vështirësi kur të dalin jashtë vendit, por prapë se prapë e ndërmarrin këtë rrugë".

Duke folur për papunësinë tek të rinjtë, ai tha se shkaku kryesor që të rinjtë nuk po gjejnë punë është për shkak se universitetet nuk po përgatisin kuadro profesionale.

Demi tha se sektori publik po diskriminon punësimin e të rinjve, ndërkaq, ai privat, po iu jep hapësirë më të madhe punësimi.

"Ne kemi dy sektor të cilët krijojnë vende të punës. Fatkeqësisht punëdhënësi më i madh është sektori publik, ku diku 81 mijë njerëz janë të punësuar aty, shto këtu 15 mijë njerëz që punojnë në ndërmarrje publike, e numri është diku 96 mijë, apo rreth 40 për qind e atyre që janë kontribut-pagues".

"Struktura e njerëzve të punësuar në sektorin publik është shumë në dëm të rinjve, apo 23 për qind e të punësuarve janë të rinj 18-35 vjeç. Të rinjtë janë të diskriminuar në momentin e parë kur shpallet një konkurs ku kërkohet përvoja 3-5 vjeçare".

"Duhet lavdëruar sektorin privat të cilët i kanë dhënë më shumë shanse të rinjve".

Sipas Demit, papunësia shkakton edhe efekte afatgjate psikologjike, e këto sipas tij, janë faktor që të rinjtë po ikin nga Kosova.

?Papunësia krijon efekte afatgjate tek të rinjtë dhe të gjithë ata të papunë, papunësia nuk është vetëm mungesë të ardhura, por ajo ka ndikim tek psikologjia e personit që nuk punon, edhe në shëndetin psikologjik e fizik edhe në vetëbesimin e tij edhe në integrimin shoqëror?.

"Një i ri i cili nuk është duke punuar e ka shumë më të vështirë të jetë pjesë e jetës shoqërore për shkak të pamundësisë për tu integruar, apo së paku me pas mundësinë të pijë një kafe me shokë".

"Kjo është pikërisht ajo arsyeja se pse disa të rinj më përpara zgjedhin të dalin jashtë vendit, të jetojnë nën urat e Francës apo dhe burgjet e Hungarisë, sepse së paku janë larg syve të shoqërisë dhe familjes dhe së paku nuk ekziston ky turpërimi shoqëror se ata po jetojnë ndër ura".

"Zgjidhja e problemit të papunësisë të të rinjve nuk zgjidhet përmes ligjeve që mbesin vetëm në letra, por duhet strategji punësimi, e cila së paku do të përgatiste kuadro për profesionet e shekullit 21", tha Demi.

Ndërkaq, udhëheqësi i Divizionit të Punës dhe Punësimit në Ministrinë e Punës, Hafiz Leka pranoi se shkalla e papunësisë është e madhe por tha se nuk i takon vetëm ministrisë të zgjidh këtë problem.

Ai tha se nga buxheti i Kosovës ndahet një përqindje e vogël për përkrahjen e masave aktive, andaj ai tha se mbështetësit kryesor të masave aktive janë donatorët.

"Normalisht që shkalla e papunësisë prej 30.8 për qind është shqetësuese dhe është e lartë. Ne kemi qendra të punësimit, kemi qendra komunale të punësimit dhe i kemi njerëzit që kanë ngritur nivelin e ofrimit të shërbimeve".

"Me 0.026 për qind nga buxheti i Kosovës ndahet për mbështetjen e politikave aktive dhe për masave aktive dhe është pak. Prandaj, kjo është sfiduese dhe kufizuese për ne për zgjerimin e masave aktive".

"Donatorët kryesisht përkrahin masat aktive. Vetëm 2013 kemi pasur 14 milionë euro të dedikuar nga donatorët që kanë mbështetur masat tona por as këto nuk mjaftojnë?.

?Nëse mendoni se vetëm Ministria e Punës është faktori institucional i cili duhet të merret drejtpërsëdrejti me këtë punë jeni gabim sepse është problem i komplet shoqërisë. Por, Ministria e Punës është ajo që mandatohet edhe me politika dhe masa, që të ketë qasje më serioze dhe më gjithëpërfshirëse që ky problem të trajtohet", tha Leka.

Konferencën e plotë mund ta ndiqni në videon: https://www.youtube.com

Postuare më: 01.12.2014 - http://lajmi.net/papunesia-shkaktari-kryesor-i-ikjes-te-te-rinjve-video/

Donatorët e FIQ: