Lazim Destani fiton çmimin për filantropi

04/12/2014

Biznesmeni i suksesshëm, Lazim Destani, është nderuar me çmimin FIDES 2014 për kontributin e tij të pamohueshëm nga diaspora. Destani e ka dëshmuar veten si një biznesmen i suksesshëm, por gjithashtu edhe si një filantrop i vërtetë, i cili beson se ka përgjegjësi personale për të kontribuar në zgjidhjen e çështjeve sociale. Ai pasi pranoi çmimin të cilin ia ndau afaristi Shkelzen Bashota, tha se është obligim i secilit që të bëjë më të mirën për Kosovën e cila ka shumë nevojë.

Biznesmeni dhe filantropi i suksesshëm me prejardhje nga Malësia e Sharrit të Tetovës, tha se zhvillimi ekonomik është çelësi i suksesit që e ngrit vendin dhe e drejton kah Bashkimi Evropian. "Shumë biznesmenë ka Kosova, si në vend ashtu edhe jashtë, ne individualisht jemi shumë të suksesshëm por të bashkuar pak e kemi një defekt, unë besoj t'i bashkojmë forcat me shumë biznesmenët të cilët gjenden jashtë në diasporë, fuqinë e vet qoftë kapitale apo intelektuale të përvojës së tyre t'i bashkojnë dhe t'i sjellin në Kosovë, dhe të punojmë natë e ditë dhe dëshiroj sa më shpejt ta shoh Kosovën në Bashkimin Evropian", ka thënë ai

Destani që në fillimet e karrierës së tij të biznesit, 25 vjet më parë, u shtriu dorën atyre që kanë më shumë nevojë për ndihmë. Për çdo vit ai ka ndarë një pjesë të fitimeve të bizneseve të tij për qëllime bamirësie, mbështetje të projekteve kulturore dhe të arsimit, si dhe atyre të ambientit.

Në këtë gala mbrëmje të organizuar nga Forumi Iniciativa Qytetare (FIQ), çmime u ndanë edhe në kategoritë tjera si: çmimi FEDS për kontribut në nivel Kombëtar, i cili iu nda Fondacionit të IPKO-s. Po ashtu, çmimi FIDES për kontribut në Zhvillim të Qëndrueshëm iu nda "The Ideas Partnerships".

Për kontribut individual, çmimi FIDES iu nda Misin Zenunaj. Kurse për të partnerit Filantropik çmimi FIDES iu nda kryetarit të Komunës së Hanit të Elelzit, Rufki Suma. Dhe çmimin për kontribut jetësor ?Hasan Prishtina?, çmimi FIDES iu nda Vëllezërve Kuzhini. Çmimin atyre ua dorëzoi përfaqësuesi i familjes Jashari nga Prekazi, Murat Jashari.

Drejtoresha ekzekutive e Forumit për Iniciativa Qytetare, Dajana Berisha, në fjalën e saj tha se së bashku do të mundë të bëjmë edhe më tepër për ata qytetarë që janë në nevojë. ?Shoqërisë tonë i duhen politikanë që ndjejnë për qytetarët e jo ekonomistë modernë?, ka thënë Berisha.

Edhe Haki Abazi, nga "Rockefeller Brothers", ka përshëndetur të pranishmit. Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ) vepron në Kosovë që nga viti 2000, dhe që nga vitit 2008 ka për qëllim promovimin e filantropisë si një mekanizëm të mbështetjes së zhvillimit të qëndrueshëm dhe tejkalimit të kulturës së bamirësisë në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor.

Postuare më: 04 Dhjetor 2014 - http://zeri.info/ekonomia/9691/lazim-destani-fiton-cmimin-per-filantropi-foto/

Donatorët e FIQ: