Kjo ndodh vetëm në Kosovë: KEDS ngrit çmime e vazhdon me reduktime

05/10/2014

Ngritje të çmimeve dhe reduktime. Këto janë shërbimet që KEDS po u ofron konsumatorëve.

Rritjet e çmimit të energjisë, s'kanë të ndalur. Brenda një kohë të shkurtë ZRRE ka ngritur çmimin e energjisë dy herë: pra, gjatë këtij dimri, qytetarët do të paguajnë energji më shtrenjtë për më shumë se 10 për qind.

Derisa zyrtarët e KEDS-it thonë se përgjegjës për këtë është ZRRE dhe jo ata, KEK kërkon para nga Qeveria e vendit me qëllim të përmirësimit të gjendjes. Kjo i bie që konsumatorët do të paguajnë disa herë për energjinë e shpenzuar, pasi paratë që Qeveria mund të ndajë për KEK-un janë të taksapaguesve.

Kjo situatë ka mobilizuar qytetarët, të cilët pa hezitim po nënshkruajnë peticionin me anë të së cilit kërkohet nga Kuvendi i Kosovës anulimi i vendimit të ZRRE-së për ngritjen e fundit të çmimit të energjisë elektrike prej 5.18 për qind.

Kushtrim Puka, nga Forumi për Iniciativa Qytetare, thotë për KosovaPress se ka pasur interesim tejet të madh nga shumë komuna të vendit, për të nënshkruar peticionin. Deri tash mbi 34 mijë qytetarë janë shprehur kundër këtij shtrenjtimi.

Presim që ky numër të rritet edhe më shumë. Pastaj do të procedojmë me dorëzimin e nismës legjislative në Kuvend posa të themelohet Kuvendi dhe në institucionet tjera përkatëse. Qytetarët e Kosovës, përveç që paguajnë çmimin me të shtrenjtë në rajon për energji elektrike, ata ballafaqohen edhe me reduktime të vazhdueshme, ka thënë ai.

Sipas tij, në rast se nuk merren parasysh kërkesat e qytetarëve, ata do t?i drejtohen Gjykatës Themelore dhe asaj Kushtetuese. Por, nuk i përjashton as protestat.

Qytetarët janë të frustruar dhe ne vazhdimisht kemi ankesa prej tyre. Qytetarët paguajnë 100 euro rrymë faturë mujore, e pagat i kanë 150 euro, tha ai.

Qytetarët të cilët këto ditë kanë pritur në radhë për ta nënshkruar peticionin, shprehen të zhgënjyer nga ajo që po ndodh. Ata e quajnë të padrejtë këtë që po iu bëhet.

Florim Kurti, qytetar nga Prishtina, thotë se KEDS po i plaçkit qytetarët.

?Kjo është shkelje e të drejtave të njeriut, duke pas parasysh krizën ekonomike të cilën e kanë qytetarët e Kosovës. Sipas statistikave, mbi 50 për qind janë të papunë. Nuk di pse mos ta quajmë plaçkë. Ata kërkojnë mjete nga Qeveria, po ato janë taksat tona të cilat ne i paguajmë, si për energji, si për infrastrukturë, si për të gjitha. Pastaj ka reduktime. Shpresoj që qytetarët do të vetëdijesohen dhe do të fillojnë me protesta?, thotë ai.

Idriz Ejupi, i cili ishte ndër të parët që kishte nënshkruar peticionin, thotë se kjo që po ndodh është turp për Qeverinë dhe institucionet e vendit.

?Brenda 1-2-3, apo katër muajve, është shtrenjtua rryma deri në 15 për qind. S?ka kështu askund në botë. Në Bullgari për një shtrenjtim shumë të vogël kryeministri ka dhënë dorëheqje. E këtu kush për popull s?ka gajle. Turpi i Zotit është?, tha ai.

Për këtë si duket nuk e qajnë shumë kokën zyrtarë të KEDS-it. Guri Shkodra, zëdhënës i KEDS-it, thotë se KEDS nuk përcakton çmime dhe tarifa te energjisë elektrike dhe se ky proces, sipas tij, është në kompetence të Zyrës se Rregullatorit te Energjisë.

?Pas aksidentit në Termocentralin Kosova A, importi është shtuar jashtëzakonisht shumë, deri sa prodhimi është zvogëluar dukshëm. Duhet të keni parasysh që importi është dy deri tri herë më i shtrenjtë se energjia e prodhuar në vend. Ne kemi absorbuar të gjitha sasitë e lejuara të importit për vitin 2014 dhe pa marrë parasysh zhvillimet, kemi vazhduar të importojmë sasi të mëdha të energjisë jashtë bilancit, vetëm që ndërprerjet, për shkak të mungesës së energjisë, të jenë minimale, thotë ai.

Sa i përket reduktimeve të energjisë elektrike, Shkodra thekson se ndërprerjet janë për shkak të implementimit të planeve të mirëmbajtjes dhe prishjeve me të cilat ata po përballen.

Në anën tjetër, 6.4 milionë euro është shuma të cilën Korporata Energjetike e Kosovës e kërkon nga Qeveria, në mënyrë që të fillojë me remontet e disa njësive.

Edmond Nulleshi, drejtor ekzekutiv në Shërbimet e Korporatës KEK, thotë se pas aksidentit, KEK ka ndërmarr rehabilitimin kapital në ?Kosovën A?, me forca vetanake nga kursimet buxhetore, me ç?rast janë bërë shkurtime në te gjitha fushat, pa prekur ato që kanë të bëjnë me operimet qenësore dhe sigurinë.

Sido që të jetë, si pasoje e avarisë në Termocentralin Kosova A, sipas tij KEK ballafaqohet me probleme financiare, për shkak të mungesës së të hyrave të ndërlidhura me mungesën e prodhimit të planifikuar të një njësie (A5).

Sipas metodologjisë tarifore, ai thotë se duke pasur parasysh se tarifat e prodhimit janë të rregulluara, çfarëdo lloj financimi nga Qeveria zvogëlon të hyrat e lejuara, që ZRRE aprovon për ngarkesë ndaj konsumatorit. Prandaj, si parim, ai thotë se çfarëdolloj financimi nga Qeveria, duhet të ndikojë në zvogëlimin e ngarkesës për konsumatorët.

Nulleshi thotë se konsumatorët nuk pritet të ballafaqohen me reduktime për shkak të KEK-ut.

Ndryshe, ai thotë se përkundër faktit se këtë vit tarifat për konsumatorë janë ngritur dy herë gjatë dy shqyrtimeve tarifore, të hyrat e lejuara nga ZRrE nuk janë rritur asnjëherë për KEK-un, si prodhues vendor i energjisë elektrike.

Postuare më: 5 Tetor 2014 - http://www.telegrafi.com/ekonomi/kjo-ndodh-vetem-ne-kosove-keds-ngrit-cmime-e-vazhdon-reduktime.html

Donatorët e FIQ: