KOSID, mos votimi i peticionit kundër shtrenjtimit të rrymës zhgënjyes

10/07/2015

Mos votimi i peticionit në Kuvendin e Kosovës kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike i nënshkruar nga 33 mijë qytetarë, ka ngjallur reagim si nga ana e partive opozitare, po ashtu edhe nga Konzorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID).

Kundërshtimi i këtij peticioni nga legjislativi i vendit për të dytën herë, nga ana e KOSID-it, vlerësohet si lajm i hidhur për qytetarët dhe se kjo sipas përfaqësuesve të kësaj organizate, dëshmon edhe njëherë cilësinë e demokracisë në vend.

Visar Azemi, drejtor i Konzorciumit Kosovar të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm, tha se kërkesat kryesore të cilat qytetarët i ngritën me anë të peticionit e që ishin anulimi i vendimit për ngritjen e energjisë elektrike dhe shkarkimi i bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë nuk u morën fare në konsideratë në rekomandime të cilat u votuan në Kuvend.

Kurse Dajana Berisha, nga KOSID, tha se e drejta e qytetarëve për të dërguar nisma të tilla në Kuvend parashihet sipas Kushtetutës që është dokumenti numër një i legjislacionit, duke shtuar se e drejta e qytetarëve të vendit është mohuar edhe njëherë.

Në konferencë u bë e ditur së që nga java e ardhshme do kërkohet takim me të gjitha partitë dhe kryesuesit e Kuvendit që ky peticion të shqyrtohet edhe njëherë në Kuvendin e Kosovës, pasi që sipas përfaqësuese të KOSID-it, më këtë peticion është kontrabanduar.

Peticioni kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike ka filluar në shtator të vitit të kaluar dhe i është dorëzuar Kuvendit më 20 janar të këtij viti.

Postuar më: 10 Korrik 2015 - http://www.telegrafi.com/ekonomi/lajme-ekonomi/kosid-mos-votimi-i-peticionit-kunder-shtrenjtimit-te-rrymes-zhgenjyes.html

Donatorët e FIQ: