Aktivizmi qytetar mbetet i ultë në Kosovë

14/06/2013

Niveli i zhvillimit të komuniteteve në fshatra dhe lagja të ndryshme në Kosovë për të adresuar dhe zgjidhur probleme është mjaft i ultë në Kosovë, por një përqindje e vogël e popullsisë në vend i ka krijuar vetvetes mundësi që të ndërmarrë aksione për të nxitur zhvillime në komunitetin e tyre.

Kështu u tha në tryezën "Aktivizmi qytetar në Kosovë", e cila u mbajt të premten në Prishtinë, organizuar nga Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ).

FIQ ka prezantuar edhe raport vështrimin "Aktivizmi qytetar në Kosovë", në të cilin theksohet zhvillimi i shumë seminareve me këshilla të fshatit dhe lagjeve në pesë komuna të vendit në promovimin e aktivizmin dhe organizimit qytetar .

Nazim Haliti nga FIQ tha se raporti vështron dhe vlerëson nivelin e organizimit qytetar në bashkësitë e ngushta lokale si dhe mundësinë e tyre në jetën publike.

"Si shembull i aktivizmit qytetar është fshati Smirë nga komuna e Vitisë e cila viteve të fundit ka pasur aktivitete të shumta që e kanë shquar ketë vendbanim për qytetari aktive", tha Haliti.

Sipas Halitit ky fshat ka hapur ueb faqen e tij e cila mirëmbahet nga aktivistë të fshatit të cilët pothuaj çdo ditë postojnë informata me rëndësi për fshatin dhe përcjellin të gjitha ngjarjet me rëndësi nga jeta këtij fshati me ofro 4,400 banorë.

Refki Suma, kryetari i komunës së Kaçanikut tha se Hani i Elezit fillimisht e ka rregulluar rregullativën për funksionimin e fshatrave dhe lagjeve në qytet.

"Hani i Elezit në prill ka përfunduar zgjidhjen e këshillave të fshatrave dhe çdo kryetar i fshatit është i pajisur me telefonë mobil të cilin e ka gratis për të kontaktuar me të gjithë zyrtarët komunalë", tha Suma.

Ai theksoi se komuna e tij nuk ka lejuar që në këto struktura të futet dora e politikës, siç ndodh në vendet tjera në Kosovë.

Veton Nevzadi, drejtor për Rini, Kulturë dhe Sport në komunën e Gjilanit tha se aktivizmi qytetar është mjaft i organizuar në fshatrat dhe komunën e Gjilanit.

" Po punojmë që pjesën organizative ta organizojmë në fshatra dhe lagje duke themeluar celulat e para në mënyrë që kjo punë të tregojë rezultatet e veta", tha Nevzadi.

Zgjim Hyseni nga Vetëvendosje, tha se aktivizimi qytetar është mjaft i rëndësishëm në një shoqëri por mbi të gjitha diagnostikimi i saktë i problemeve është zgjidhja me mira.

Ai shprehu brengën e tij se në shumicën e rasteve ky organizim është i ndikuar nga politika ditore e pushtetit në Kosovë./astrit veliqi/

Postuar më: 14.06.2013 http://www.kosovalive360.com/aktivizimi-qytetar-mbetet-i-ulte-ne-kosove.html

Donatorët e FIQ: