6 mijë e 991 kosovarë azilkërkues, në Hungari

26/11/2014

Gjermania dhe shumë vende të tjerët të Evropës nuk janë duke pranuar azilkërkues nga Kosova. Azilkërkuesit nga Kosova, të cilët kalojnë ilegalisht në Evropë përmes kufirit me Hungarinë, kanë cak shtete të ndryshme. Por, në momentin që ata arrestohen, ata konsiderohen persona ilegalë.

Ambasada e Hungarisë në Kosovë, përmes një përgjigje të kthyer në formë elektronike, ka bërë me dije për ?Zërin? numrin e azilkërkuesve që nga fillimi i këtij viti. ?Bazuar në të dhënat e fundit, 22 mijë e 161 persona nga vendet e treta kanë aplikuar për azil në Hungari, nga të cilët 6 mijë e 991 janë nga Kosova. Numri i azilkërkuesve nga Kosova është rritur që nga periudha e verës, e posaçërisht në vjeshtë. Shumica e azilkërkuesve e kanë kaluar ilegalisht kufirin e zonës Shengen. Në këtë vit, asnjë qytetar i Kosovës nuk është pranuar si refugjatë në Hungari?, ka njoftuar Ambasada hungareze në Kosovë.

Personat, të cilët janë zënë nga autoritetet hungareze në këtë vend konsiderohen si ilegalë dhe si të tillë mbahen në shtëpi të ndalimit, nën përkujdesjen e policisë.

?Bazuar në të dhënat e fundit, 462 qytetarë të Kosovës janë në qendra të pritjes dhe 320 qytetarë të tjerë janë në qendrat e ndalimit të azilkërkuesëve në Hungari. Këto qendra janë konform standardeve evropiane?, ka njoftuar më tutje Ambasada hungareze.

Ambasada hungareze, shqetësimin për numrin e madh të azilkërkuesve ia ka bartur ministrit në largim të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepit.

Ky i fundit bën thirrje tek qytetarët që të mos largohen nga Kosova, duke thënë se nuk ka pranim të refugjatëve nga Kosova ngase Kosova për shumicën e vendeve evropiane, është vend i sigurt. Megjithatë, ai e pranon që kushtet e rënda ekonomike janë arsye e largimit të shumë personave. ?Zhvillimi ekonomik dhe krijimi i vendeve të punës kërkon kohë dhe po punohet në këtë drejtim nga viti në vit?, thotë ministri Rexhepi, i cili shton se pavarësisht gjendjes ekonomike, shumë të rinj po motivohen nga diaspora që vjen çdo vit në Kosovë.

?Po i shohin të rinjtë që punojnë atje 11 muaj e vijnë në Kosovë me vetura të shtrenjta që shumica prej tyre i marrin në kredi. Qytetarët e Kosovës po joshen shumë nga këto raste?, thotë Rexhepi. ?Por një gjë duhet ditur, nuk ka azil për qytetarët e Kosovës?, thotë ai. Për vite të tëra, me fenomenin e migracionit është marrë Dajana Berisha, e cila ka magjistruar në Angli për temën e migracionit, ndërsa aktualisht udhëheq Forumin për Iniciativën Qytetare në Prishtinë.

?Kosova është një vend që ka 40 për qind të popullatës në papunësi afatgjate. Në një vend si Kosova, ku 70 për qind konsiderohen moshe e re...atëherë përgjigja është e qartë që njerëzit po largohen nga Kosova për arsye ekonomike dhe në mungesë të perspektivës?, thotë Berisha. Situata aktuale, sipas saj, është shqetësim për vetë faktin se nuk po reagojnë dhe nuk po kanë çfarë të thonë as institucionet qendrore të Kosovës.

Ndonëse pa qëndrim, sipas Berishës, institucionet vendore përgjegjëse duhet të punojnë në mënyrë që të bëhet liberalizimi i vizave për qytetarët, të krijohet një strategji gjithëpërfshirëse e migracionit që do të jetë në përputhje me një strategji të zhvillimit të qëndrueshëm si dhe të punohet në krijimin e mundësisë që për kosovarët të ketë projekte shkëmbimi apo punë sezonale në shtete të Evropës.

Postuare më: 26.11.2014 - http://zeri.info/aktuale/8531/6-mije-e-991-kosovare-azilkerkues-ne-hungari/

Donatorët e FIQ: