KOSID: ZRRE shkeli seriozisht mandatin e tij me vendimin për rritje të çmimit të rrymës

01/09/2014

Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) kundërshton zyrtarisht vendimin të fundit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për rritjen e çmimit të energjisë, dhe kërkon nga Bordi i ZRRE-së anulimin e vendimit të datës 29 gusht 2014 për rritjen e të hyrave të lejuara për Furnizuesin Publik KEDS për shkak të kundërligjshmërisë së tij dhe shkeljes së Rregullës për vendosjen e çmimeve të furnizuesit publik të energjisë elektrike, Shtojca 5 (paragrafi 2).

KOSID vlerëson që Bordi i ZRRE-së ka shkelur detyrimin e saj që të mos ndërmarrë ndonjë hap në rritjen e tarifave përkatësisht të hyrave të lejuara për furnizuesit publik në afat prej 3 muajsh pas vendimit të fundit për një rritje të tillë, e përcaktuar specifikisht në Shtojcën 5.1 të Rregullës për Çmimet e FPEE-së.

?Një veprim i tillë i Bordit të ZRRE-së përbën shkelje serioze të mandatit të tij të besuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës për të mbrojtur tregun dhe konsumatorin e energjisë në Republikën e Kosovës, dhe natyrisht që përbën edhe veprim të ndaluar në kuptim të Nenit 1.3 të Ligjit mbi ZRRE-në?, thotë KOSID.

Në anën tjetër, KOSID vlerëson që vendimi në fjalë i Bordit të ZRRE-së përbën gjithashtu shkelje të Nenit 3.1 të Ligjit për ZRRE-në, meqë e ndërmerr një veprim të tillë rregullativ pa transparencë, duke shkelur parimet e mbrojtjes së konsumatorit dhe të veprimeve jo-monopoliste të tregut.

?Një rritje e tillë e çmimit përbën një veprim që i shkon në dëm serioz konsumatorëve finalë të energjisë në Kosovë, dhe në anën tjetër shërben si mjet monopolistik që kënaq interesat private të furnizuesit publik, KEDS?, thekson më tej KOSID.

Prandaj, KOSID i ka kërkuar ZRRE-së që në periudhë sa më të shpejtë kohore të bëjë anulimin e një vendimi të tillë, në mënyrë që të ndërpriten efektet e kundërligjshme të faturimit të energjisë tek konsumatorët final.

Në rast të mos anulimit të një vendimi të tillë, KOSID thotë se ?Bordi i ZRRE-së do të mbajë përgjegjësi ligjore për të gjitha pasojat e shkaktuara tek konsumatori final dhe tregu i energjisë?.

Në anën tjetër, KOSID i bën thirrje të gjitha mediave në Kosovë që të ndjekin me shqetësim tendencën e ZRRE-së për rritjen e çmimit të energjisë në Kosovë në këtë periudhë kohore, dhe dëmtimin me çdo kusht të konsumatorit të energjisë.

?Vlerësojmë që një sjellje e tillë e ZRRE-së, jo vetëm që përbën shkelje ligjore, por edhe një papërgjegjësi totale ndaj publikut dhe qytetarëve të varfër të vendit tonë?, vlerëson KOSID.

KOSID për këtë shkak do të vazhdojë me mobilizimin e publikut dhe të organizatave të shoqërisë civile për ta kundërshtuar një proces të tillë në vazhdimësi.

Postuare më: 01.09.2014 -  http://koha.net/?id=27&l=23857

Donatorët e FIQ: