Koha për Veprim - Armët Vrasin (Time for Action - Guns Kill)

22/11/2012

Nga: Arieta Rexhepi

Në prag të festave të fundvitit, Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ) vendosi të organizojë një fushatë kundër armëmbajtjes pa leje dhe të shtënave me armë zjarri. Kjo fushatë mbuloi pothuajse gjithë territorin e Kosovës. Arsyeja pse u ndërmor një fushatë e tillë, është se dukuria e armëmbajtjes pa leje dhe përdorimit të tyre pa nevojë, vazhdon të marrë jetë njerëzish.

Vetëm gjatë periudhës janar-shtator 2012, gjashtë persona kanë vdekur dhe 74 janë plagosur nga armët e zjarrit. Vetëm për një javë gjatë verës, gjatë dasmave dhe festave, janë plagosur nëntë veta. Policia e Kosovës gjatë muajve të verës korrik-gusht-shtator, në dasma dhe festa ka konfiskuar 152 armë. Ndërkohë që statistikat shënojnë numër alarmues të rasteve të humbjes së jetës dhe plagosjeve, gjykatat në Kosovë, për periudhën janar-shtator kanë dënuar me burg 15 persona, kurse kanë dënuar me gjobë 451 persona, që përkthyer në përqindje i bie që jo më pak se 97% të vrasësve potencialë dënohen me gjobë dhe jo më shumë se 3% e tyre dënohen me burg. Mbajtja e armës pa leje është vepër penale dhe dënohet me 1-10 vjet burg. 

Kush mund ta përmirësojë më mirë gjendjen se sa gjykatat në këtë rast?! Ato janë të thirrura të zbatojnë ligjin, ligj ky që në njërën anë dënon dhe në anën tjetër ?vetëdijeson? njerëzit. Gjobat që shqiptojnë gjykatat për këtë vepër penale janë qesharake, duke pasur parasysh rrezikshmërinë e saj. Mëshira në këtë rast nuk duhet zë vend. Them ?mëshira?, duke u nisur nga një gjykatës në Gjilan, i cili shprehimisht në një tryezë të organizuar nga FIQ, tha se ?kur na vijnë rastet sociale, ka raste kur as gjobën nuk ua shqiptojmë?! Është ?koha për veprim? nga institucionet gjegjëse. Është ?koha për veprim?, sepse njerëzit po humbasin jetën dhe në rastin tjetër po mbesin invalid për tërë jetën.

Dukuria e gjuajtjeve me armë zjarri, përveç që është e rrezikshme, me vete bart edhe imazhin që na përcjellë. Imazh ky që pas rrezikut që bart dukuria, sa është i panevojshëm, është po aq edhe primitiv. 

Ka njerëz që ushqejnë një adhurim për armën, sa kur ndodhen para saj, tundohen aq shumë, sa nuk dinë çfarë po bëjnë dhe në jo pak raste, po këta njerëz kanë vrarë familjarët e tyre të ngushtë. Shumë ahengje janë kthyer në tragjedi. Shumë njerëz vuajnë pasojat e një momenti tundues nga shtënësi. Ndërkohë që armët vazhdojnë të marrin jetë, FIQ në mënyrë të vazhdueshme vazhdon të kundërshtojë fuqishëm këtë dukuri.

Gjatë muajit nëntor 2012, si pjesë e aktiviteteve të fushatës, FIQ, ka organizuar edhe takime konsultuese nëpër komuna të ndryshme të Kosovës, ku është diskutuar Strategjia Kombëtare për Kontrollin dhe Grumbullimin e Armëve të Vogla dhe të Lehta, e cila strategji ekziston që nga viti 2008, por nga kjo strategji ka pasur të arritura vetëm në sferën institucionale, ose thënë më saktë janë shënuar disa arritje formale. Gjatë këtyre tryezave dolën disa rekomandime, ndër të cilat, më kryesore ka qenë nevoja për një nismë të madhe dhe mirë të organizuar, në një ndërveprim nga të gjitha institucionet, dhe tjetra që zbatimi i ligjit nga gjyqësori të bëhet në mënyrë më të rreptë. Si rekomandime të përgjithshme në kërkim të mjeteve dhe formave që mund të japin rezultate, kanë adresuar çështje të edukimit shkollor në këtë fushë, komunikim më të rregullt të institucioneve me qytetarë dhe rritje të besimit në institucione përmes zbatimit të ligjit pa seleksionime.

Plumbat nuk kanë sy. Ata mund t?ua vrasin njeriun më të dashur apo familjarin më të ngushtë. Nga përdorimi i tyre nuk ka AS edhe një të mirë. Mos të bëhemi vrasës qoftë edhe pa dashje por mos të lejojmë as të jemi viktimë. Duhet ta ngremë zërin duke mos pranuar me qetësi armët në rrethin tonë. Armët nuk e rrisin gëzimin. Armët vrasin, andaj thuaj të gjithë atyre që i njeh dhe i do: JO armë nëpër festa. JO armë pa leje në shtëpi.

Autorja është Zyrtare e Programit, Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ)

http://gazetajnk.com/?cid=1,983,3902

Donatorët e FIQ: