Fituesit e çmimit FIDES 2010

Festimi i 10 vjetorit të themelimit dhe ndarja e Çmimit FIDES 2010 për filantropi në Kosovë. Viti 2010, ishte viti më i veçantë se asnjëherë më parë për FIQ-in, sepse pikërisht në natën e ndarjes së Çmimit FIDES 2010, i cili tashmë është bërë traditë në Kosovë, FIQ festoi 10 vjetorin e themelimit. 10 vjetori i punës së suksesshme dhe me sfida u festua mes miqësh dhe dashamirësh, në një mjedis tejet të këndshëm, të ngrohtë dhe solemn. Me këtë rast u shfaq edhe dokumentari i titulluar “FIQ 10 vite”, i cili paraqiti aktivitetin e pandalshëm dhjetëvjeçar të FIQ-it që nga dita e parë e themelimit në vitin 2000.

Në po këtë ditë, me 1 dhjetor 2010, FIQ për herë të dytë organizoi festën e madhe të ndarjes së Çmimit FIDES për Filantropi në Kosovë. Ky çmim tradicional, simbolizon mirënjohje të madhe publike për individët dhe biznesin kosovar, të cilët në mënyrë të vazhdueshme dhe të kujdesshme po përkrahin aktivitetet dhe projektet për të mirën e përbashkët. Duke bërë publik emrat e kompanive, ndërmarrjeve dhe individëve, të cilat kanë përkrahur financiarisht projekte që kanë kontribuar për të mirën e përbashkët të popullit të Kosovës, ky çmim prestigjioz synon të nxisë edhe të tjerët që të ndjekin këtë rrugë, pra të investojnë më shumë në përmirësimin e cilësisë së jetesës në Kosovë. Veçantia e Çmimit FIDES 2010 u shtua, me faktin se familja e humanistit të madh shqiptar, që një jetë të tërë ia kushtoi afrimit të njerëzve dhe faljes së gjaqeve, të ndjerit Anton Çetta, pa hezitim pranoi që FIQ, çmimin individual për filantropi, ta emërtoj me emrin Çmimi për filantropi “Anton Çetta”.

E bija e Anton Çettës, znj. Donika Çetta, para të pranishmëve mbajti një fjalë rasti, ku ndër të tjera u shpreh “Kur jemi pyetur nga FIQ, nëse mund të përdornin emrin e babait tonë për të emërtuar njërin nga çmimet për filantropi, ne me kënaqësi kemi pranuar. Për ne, gjithmonë do të jetë kënaqësi që emri i babait të përdorët si shenjë mirënjohjeje për kontributin e njerëzve që angazhohen për të pasur një jetë më të dinjitetshme të popullit tonë, sepse vet ai bëri të njejtën gjë.”

Në ceremoninë ekskluzive të organizuar më 1 dhjetor, për shpalljen e fituesve të Çmimit FIDES, ishin të pranishëm më se 350 pjesëmarrës. Ndër mysafirët special, që me ca fjalë iu drejtuan të pranishmëve dhe dorëzuan çmimet tek fituesit ishin: z. Haki Abazi – Drejtor i Programit për Ballkanin Perëndimor (RBF), z. Dale Pfeiffer, ish-drejtor i USAID-it në Kosovë dhe Çmimin “Anton Çetta” e ndau znj.Donika Çetta. Ferdinand Nikolla, drejtor ekzekutiv i FIQ-it, u shpreh: ''Kjo festë, sonte, është më e veçantë se asnjëherë, ngase Çmimi FIDES po ndahet në të njëjtën ditë kur FIQ feston edhe 10 vjetorin e vet të themelimit! Për këto 10 vite ne i qëndruam besnik misionit tonë, çdo herë u munduam të jemi të pavarur dhe profesional në punën tonë, duke punuar në bashkëpunim me të tjerët, institucionet, organizatat e ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, e sidomos me njerëzit tanë nga mbarë Kosova. Ne poashtu, mbetëm zë kritik dhe konstruktiv në aktivitetin tonë, lidhur me proceset e rëndësishme që kaloi Kosova dhe populli ynë gjatë rrugës së shtetndërtimit, zhvillimit dhe paqes në vend”.

Kategoritë dhe fituesit e çmimit FIDES 2010:

  • Çmimi për Kontribut kombëtar e fitoi kompania “MERIDIAN Corporation LLC”, kompani kjo e cila ka përkrahur aktivitete me rëndësi shoqërore, aktivitete që reflektojnë perceptime pozitive si dhe dëshmojnë solidaritet.
  • Çmimi për Kontribut lokal e fitoi kompania “Kulla Exim shpk”, kompani kjo e cila ka kontribuuar në përmirësimin e jetesës në komunën e Deçanit duke përkrahur aktivitete kulturore, infrastrukturën dhe rininë.
  • Ndërsa Çmimi për Filantropi “Anton Çetta” e fitoi Milaim Jashari, person ky i cili themeloi dhe punon vullnetarisht në shoqatën humanitare “Feniks” në Ferizaj, përmes së cilës gjatë pesë viteve ndërtoi 70 shtëpi për të pastrehët, ndërsa vetëm gjatë vitit 2010 ndërtoi 13 shtëpi.