Komuna e Vitisë dhe Kaçanikut dështojnë të realizojnë premtimet e tyre ligjore për projektet për zhvillim të kapaciteteve të rinisë

01/09/2018

Rrezikohet implementimi i projektit “Ambasadorër e rinj” si pasojë e morespektimit të Memorandumit të Mirëkuptimit prej këtyre komunave!

 

Projekti Ambasadorët e Rinj ka për qëllim të identifikoj, mobilizoj dhe trajnoj aktivistë të rinj, dhe t’i udhëheq drejt zhvillimit dhe implementimit të një mekanizmi të dhënies së granteve për grupet joformale. Ky projekt është zhvilluar në Prishtinë, Pejë dhe Mitrovicë. Këtë vit, projekti është duke u zhvilluar në komunën e Vitisë dhe Kaçanikut. 

 

Lidhur me këtë projekt, Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ) nënshkroi memoranduam bashkëpunimi në Gusht  dhe Shtator 2017 me komunën e Kaçanikut dhe Vitisë rreth Projektit “Ambasadorët e Rinj”. Në memorandumin e nënshkruar nga këto komuna parashihet pika e përkrahjes financiare në vlerë  1000 euro shtesë, të cilat do të duhej të barten tek FIQ si bartës i projektit për implementimin e akcioneve komunitare nga grupet joformale të të rinjëve në Komunën e Vitisë.

 

Kjo pikë nuk është respektuar nga asnjëra komunë, edhe pse FIQ ka provuar të kontaktoj disa herë  me drejtorët e financave dhe ka marrë premtime vazhdimisht se mjetet financiare, do të dorëzohen brenda një afati të shpejtë kohorë. Ata janë rekomanduar në fillim të shtatorit që të përmbushin obligimin e paraparë në memorandum pasi që tetori si muaj ishte parashikuar vetëm për implementimin e ideve. E vetmja përkrahje nga komunat ne fjalë është lëshimi i hapësirave publike në shfrytëzim për trajnime. 

Si pasojë e mosrespektimit të këtij memorandumi nga komuna, të rinjtë e grupeve joformale janë detyruar të ulin buxhetin e akcioneve të tyre në komunitet. Kjo ka shkaktuar pakënaqësi  te ta pasi që nuk janë përmbushur premtimet dhe fushëveprimi i projekteve të tyre kushtimisht është zvogëluar. 

 

Duke respektuar vullnetin e mirë të të rinjëve të këtyre dy komunave, FIQ ka provuar që me fondet e kursyera nga projekti “Ambasadorët e Rinj” të dorëzoj atë shumë në implementimin e këtyre ideve.

 

Ne si organizatë kërkojmë përgjegjësi nga dy kryetarët e komunave që kanë shfrytëzuar projektin “Ambasadorët e Rinj” vetëm për promovim të tyre personal duke mos iu përmbajtur përgjegjësive të nënshkruara.

 

Praktika të tilla dëmtojnë kredibilitetin e komunave, ulin besimin e rinisë dhe të shoqërisë civile në seriozitetin e pushtetit lokal për promovimin e të rinjve dhe mbi të gjitha shndërrohen në tregues të mungesës së vullnetit të pushtetit lokal për të ndryshuar situatën ekzistuese në të mirë të komunave të cilat kryetarët respektivë përfaqësojnë.

 
Editim: 
Dy ditë pas publikimit të këtij lajmi, Komuna e Kaçanikut ka përmbushur obligimin financiar ashtu siç është parashikuar në memorandum. 

Donatorët e FIQ: