Besart Kunushevci i jep fitoren Kosovës në Garën Rajonale për “Biznes plane - të Gjelbërta dhe Inovative” me Platformën Akademia

Forumi për Iniciativa Qytetare, informon për fitorën e ideatorit Kosovar Besart Kunushevci në garën rajonale për “Biznese të gjelbërta dhe Inovative” që u organizua në Kolasin, Mal të Zi prej 26-29 Korrik prej Balkan Green Foundation me mbështetjen e Rockefeller Brothers Fund.

Platforma “Akademia”, e konceptuar dhe zhvilluar prej Besart Kunushevcit parasheh ndërtimin e një start up-i Teknologjik për Kosovë dhe vendet shqipfolëse të Rajonit, që do të ndalojë plagjiaturën në sistemin akademik të Kosovës duke mbështetur hulumtimet shkencore dhe duke zvogëluar mbeturinat nga përdorimi i letrës.

Ky do të jetë aplikacioni i parë i këtij lloji në Ballkan që do të shërbejë si mjet për identifikim të plagjiaturës.

Platforma “Akademia” është përzgjedhur ndërmjet 18 ideve rajonale si një ndër projekt-propozimet më të mira, që sjell ndryshime konceptuale të sistemit akademik të Kosovës.

Platforma do të mbështetet financiarisht prej me $ 10.000 prej Rockefeller Brothers Fund dhe 2,500 euro prej FIQ.

Platforma “Akademi” u përzgjoll prej FIQ si njëra nga tre idetë më të mira në garën nacionale të organizuar prej FIQ “Ide Biznesi - Të Gjelbërta dhe Inovative 2017”.

Dy ide të tjera garuese në këtë garë ishin edhe “DYVO” e zhvilluar nga Nikki Murseli, dhe “Rrënjët tona” e ideuar prej Fisnik Kuqi.

“DYVO” është një ndërrmarje sociale, që ka për qëllim dizajnimin e aksesorëve të përditshem, nga ato trupore e deri tek ato shtëpiake, përmes ripërdorimit të mbetjeve të pleksiglasit, ndërsa “Rrënjët tona” është një ndërmarrje sociale, që ka për synim kultivimin e këpurdhave Oyster përmes reciklimit të kafesë.

FIQ e zhvillon garën “Plane biznesi – të gjelbërta dhe innovative” prej vitit 2012, me qëllim nxitjen e ndërrmarrësisë sociale, ekonomisë së gjelbërt dhe punësimit lokal. Programi “Biznes plane – të gjelbërta dhe innovative” mbështetet prej Rockefeller Brothers Fund.

FIQ është një fondacion që promovon filantropinë për zhvillim të qëndrueshëm në Kosovë, rajon dhe më gjërë.