Debatohet Ligji për armët

16/12/2009

Debatohet Ligji për armët

Prishtinë, 16 dhjetor 2009 - organizuar nga Saferworld dhe FIQ në koordinim me Departamentin për Siguri Publike të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës rreth 40 pjesëmarrës nga  Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), Policia e Kosovës, Prokuroria e Qarkut, Konsulent i lartë nga UNDP për Komisionin Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri, Policia e EULEX, ZCN/ICO, UNDP, OSBE, ICITAP, Federata e Gjahtarëve, Shoqata e Gjahtarëve “Kaprolli” nga Prishtina, organizatat joqeveritare: KMDLNJ, Qendra Kosovare për Studime Gjinore, Instituti Kosovar për Media dhe Politika (KIMP), POL, ATRC, Universiteti Amerikan në Kosovë (AUK), Këshilli i Nxënësve të Ferizajt, dhe përfaqësues të komunitetit nga fshati Gërmovë, kanë diskutuar për sfidat e zbatimit të ligjit për armë, i cili është miratuar në Kuvend disa javë më parë.

Astrit istrefi nga organizata Saferworld, prezantoi disa nga të gjeturat kryesore për armët e vogla dhe të lehta (AVL) nga hulumtimi i fundit të zhvilluar në muajt shtator-tetor 2009 dhe ofroi disa analiza krahasimore me hulumtimet e mëparshme të zhvilluara në dhjetor 2008-janar 2009 si dhe hulumtimin e muajit shkurt 2008.
   
Kadrush Koliqi, Kryeinspektor në Departamentin për Siguri Publike të MPB ka nënvizuar se Ligji është i avancuar, dhe në harmoni me direktivat e BE-së si dhe ka ofruar informacion se MPB është në proces të hartimit të udhëzimeve administrative në mënyrë që të fillohet me zbatimin e Ligjit për Armët. Z. Koliqi ka përmend se është miratuar Strategjia për kontrollin dhe grumbullimin e armëve dhe se institucionet kanë filluar me zbatimin e strategjisë. Në vazhdim ka shkoqitur pjesë të rëndësihme të ligjit, dhe u është përgjigjur shumë pyetjeve që iu shtruan nga pjesëmarrësit.

Pyetjet më të shpeshta kanë qenë rreth legalizimit, ekzistimit ose jo të planeve të veprimit për zbatimin e strategjive, importit të armëve nga jashtë dhe kontrolleve kufitare, blerjes në treg të zi dhe legalizimeve, vazhdimit ose jo të lejeve të armëve për gjueti, hapjes së shitoreve për armët, etj.

Disa nga pjesëmarrësit kanë kërkuar që të fillohet sa më shpejtë me zbatimin e ligjit pasi që zbrazëtirat ligjore në rregulloren e UNMIK-ut kanë qenë të dëmshme dhe këto zbrazëtira në të shumtën e rasteve pa asnjë të drejtë i janë “veshur” qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës.  

Debati, në përgjithësi ka kaluar me diskutime mjaft të frytshme por nuk kanë munguar edhe rastet kur janë adresuar kritika të hapura siç janë ato për disa organizata që me hulumtimet e tyre kanë dal me shifra të përafërta sa i përket armëve në posedim ilegal e që sipas disa pjesëmarrësve këto shifra janë të pasakta madje edhe të fryra, të qëllimshme dhe se në të shumtën e rasteve janë përdorur për qëllime politike. Mirëpo janë ofruar edhe sqarime se hulumtimet janë bazuar më shumë në përceptimin qytetar e më pak në statistika zyrtare dhe në zbritjen e numrit të armëve në posedim ilegal krahas konfiskimeve nga Policia e Kosovës që shkon në rreth 2,000 armë të konfiskuara çdo vit, dhe dorëzimit vullnetar gjatë amnistive.
 
Diskutimet tjera kanë përfshi edhe këndvështrimet e ndryshme sa i përket lidhjeve në mes të posedimit të armëve me traditën dhe kulturën. Në të shumtën e rasteve pjesëmarrësit kanë theksuar se çështja e pranisë dhe posedimit të armëve lidhet me luftën në Kosovë dhe se lufta ka qenë shkaku dhe pasoja, e deri te deklarimet se armët për dekada me radhë kanë qenë mjet mbijetese, sidomos për shqiptarët. Ka pas edhe mendime se posedimi i armëve përveç luftës lidhet edhe me traditën. 

Shqetësime janë ngritur sa i përket kritereve që i parasheh rregullorja e UNMIK-ut për dhënien e lejeve për armë gjuetie, siç është dhënia e lejeve për armët e gjuetisë që janë blerë në treg të zi pa u kërkuar dëshmitë për origjinën e armës. Shqetësim tjetër ka qenë edhe papërgjegjësia e gjahtarëve si dhe dëmet që po i shkaktohen pasurisë kombëtare siç është fauna. Kjo sipas pjesëmarrësve do të shkaktoj dëme të pa riparueshme në rast se vonohet me fillimin e zbatimit të ligjit.
 
Debati me të njëjtën temë është mbajtur dhe në Gjilan me datë 10 dhjetor 2009, ndërsa do të zhvillohet edhe në Prizren me 22 dhjetor, në Ferizaj me 23 dhjetor dhe më vonë në qendra tjera të vendit.
 

Donatorët e FIQ: