Armët e vogla dhe siguria njerëzore në Kosovë

20/11/2008

Prishtinë, 20 nëntor 2008 – Të enjtën, në Prishtinë, Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ) dhe Saferworld kanë organizuar konferencën “Armët e vogla dhe siguria njerëzore në Kosovë”, ku morën pjesë afro 80 pjesëmarrës nga shoqëria civile, institucionet e vendit, Zyra e Kryeministrit, MPB, Policia e Kosovës, QKUK, zyrtarë të arsimit, Federata e Gjuetarëve, organizata ndërkombëtare media dhe studentë.

Konferenca kishte për qëllim të promovojë debatin mbi çështjet që ndërlidhen me armët dhe sigurinë e qytetarëve dhe të ngrisë në shkallë më të lartë bashkëpunimin ndërmjet të gjithë bartësve të përfshirë në përmirësimin e sigurisë së qytetarëve të Kosovës.

Ndër referuesit në këtë konferëncë ishin Dukagjin Gorani, këshilltar për siguri i kryeministrit të vendit, Shqipe Kranisiqi nga Agjensia për Barazi Gjinore në Zyren e Kryeministrit, nënkolonel Naim Rexha, drejtor i Departmentit për Çështje të Komunitetit, dr.Basri Lenjani, drejtor i Qendrës Emergjente në QKUK, Musli Marevci nga Drejtoria e Arsimit në Ferizaj, Luljeta Vuniqi nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore, Rexhep Shkodra nga Federata e Gjuetarëve, Rrahim Sylejmani, përfaqësues i fshatit Gërmovë të Vitisë, Alain Lapon nga UNDP-KOSACC.

Me punime të tyre statistikore janë paraqitur nënkolonel Naim Rexha, drejtor i Departmentit për Çështje të Komunitetit, i cili prezentoi shifrat që posedon policia për konfiskimin dhe shkatërrimin e armëve të vogla që nga viti 1999. Poashtu, dr.Basri Lenjani, drejtor i Qendrës Emergjente në QKUK ka prezantuar statistikat e njerëzve të lënduar dhe vdekur nga armët e zjarrit. Ndërsa, nga Zyra e Kryeministrit, z.Gorani ka theksuar se Qeveria është duke ndërmarë masa të nevojshme në kuadër të reformimit të sektorit të sigurisë për të ofruar më shumë siguri për qytetarët e Kosovës, ku edhe armët zënë vend. Nga Komisioni Parlamentar për Siguri dhe Punë të Brendshme, Emrush Xhemajli ka thënë se Komisioni ka bërë punën e vet në rishikimin e projektligjit për armët, dhe tani ai projektligj i është kthyer prapë sponzoruesit (MPB) dhe pritet që në vitin e ardhshëm të aprovohet në Kuvendin e Kosovës.

Në këtë konferencë, FIQ dhe Saferworld prezantuan publikimin më të fundit hulumtues “Përmes vënies në objektiv – hulumtim mbi ndryshimin e qëndrimeve ndaj armëve të vogla në Kosovë”, të cilin mund ta gjeni tek seksioni i publikimeve.

Donatorët e FIQ: