Komunitetet përfitojnë nga organizimi dhe aktivizmi në problemet e sigurisë

01/01/1970

Raushiq-Pejë, Lubinje e Epërme-Prizren,  4 Mars – Janë përmbyllur aktivitetet në fshatin Raushiq, ku FIQ, Saferworld dhe organizata partnere “Syri i Vizionit” kanë zhvilluar për disa muaj projektin e sigurisë në komunitet. Këshilli i përzgjedhur nga komuniteti ka punuar intensivisht me organizatat tona për të gjetur zgjidhjen e problemeve të tyre të sigurisë, të identifikuara gjatë takimeve të rregullta, bazuar në konceptin e Planit për komunitete më të sigurta. 

Në Raushiq problemi më i madh i sigurisë së komunitetit është rreziku që sjell rruga magjistrale Pejë-Deçan-Gjakovë, e cila ka marrë shumë jetëra në dekadën e fundit. Komuniteti ka potencuar mungesën e trotuarit, të shenjave të nevojshme të komunikacionit dhe mungesën e patrullave të shpeshta të policisë në këtë aks rrugor, veçanarisht afër shkollës. Këshilli i komunitetit dhe FIQ kanë adresuar këtë problem edhe në njërin takim në fshat, ku ka marrë pjesë drejtori i Departmenti të Infrastrukturës Rrugore në Ministrinë e Transporteve, z.Ramë Qupeva. Këshilli, më pas i ka bërë një kërkesë zyrtare këtij institucioni për ndërtimin e një nënkalimi në fshat. Lajmi më i mirë për komunitetin është se kjo Ministri ka vënë në prioritetet e këtij viti ndërtimin e nënkalimit në Raushiq, që konsiderohet edhe si sukses i organizimit të komunitetit për të adresuar në mënyrë të organizuar problemet e veta tek institucionet.

Në Raushiq, përmes grantit të ndarë nga projekti të FIQ dhe Saferworld “Vend i Sigurtë”, financuar nga Qeveria Gjermane, si pjesë e rritjes së sigurisë është financuar hapja e kabinetit në shkollë, ku Policia e Kosovës do të mbaj ligjerata të rregullta për nxënësit rreth sigurisë në rrugë.
Poashtu, një problem i kahershëm i shkollës, që ka paraqitur rrezik për nxënësit, është zgjidhur gjatë këtij projekti. Janë prerë dhjetëra drunj të vjetër, të cilët sipas zyrtarëve të ambientit, më nuk paraqesin mundësi gjelbërimi, por rrezik për shkak të thyerjes së tyre të natyrshme.

Në Lubinje të Epërme të Prizrenit, ku poashtu është zhvilluar projekti për siguri në komunitet, banorët e komunitetit pakicë boshnjak, të përfaqësuar nga Këshilli bashkë me FIQ dhe Saferworld kanë shtyer institucionet që të rrisin vëmendjen ndaj këtij komuniteti. Banorët kanë kërkuar nga KFOR-i që të rrisë bashkëpunimin, për të cilin kanë konsideruar se ka munguar, ndërsa edhe Policia ka shprehur gatishmërinë që të rris prezencën e saj në këtë fshat të madh.

Organizatat tona në këtë fshat kanë ndarë një mikrogrant për të riparuar rrjetin elektrik, pasi shtyllat e vjetruara përbënin rrezik për dhjetëra shtëpi, mbi të cilat kalon rrjeti.
Ndërsa, planit të veprimit për problemet e përditshme, janë hartuar dhe disa kërkesa ndaj drejtoratit komunal për komunikacion për të vendosur një pasqyrë rrugeje në kthesën në qendër të fshatit, si dhe vendosjen e vijave të bardha për këmbësorë dhe shenjave që ndalojnë parkingun në rrugën qendrore të fshatit.


 

Donatorët e FIQ: