Si të fuqizohet sundimi i ligjit në Kosovë

Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ) dhe Saferworld në partneritet me Rrjetin për Mbikqyrje Civile të Sektorit të Sigurisë janë duke organizuar një sërë debatesh me EULEX-in, institucionet e Kosovës dhe shoqërinë civile mbi temën “Si të fuqizohet sundimi i ligjit në Kosovë”. Tanimë janë zhvilluar pesë debate, në Pejë, Gjilan, Ferizaj, Gjakovë dhe Prizren, me pjesëmarrje të shoqërisë civile, qytetarëve, mediave, zyrtarëve komunal, drejtuesve të pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, ndërsa nga EULEX-i kanë qenë të pranishëm drejtues të tri komponenteve të këtij misioni, komponentit të Drejtësisë, policisë dhe Doganave. Drejtues të misionit të EULEX-it janë shprehur në këto debate se detyrë parësore e tyre është monitorimi i sundimit të ligjit, por edhe mentorimi dhe këshillimi. “Ligji është mbret dhe çdokush duhet t’i nënshtrohet ligjit”, ka thënë zv/shefi i misionit të EULEX-it, Alberto Perduca, të hënën në debatin e mbajtur në Gjilan, më 20 tetor. Zyrtarë të këtij misioni kanë përsëritur figurativisht në këto debate se kosovarët do të jenë në karrigen e ngasësit dhe do të jenë përgjegjës për vendimet që i marrin apo nuk i marrin, ndërsa EULEX do t’i mbështesë, por edhe do t’i ushtroj disa kompetenca ekzekutive të përcaktuara në mandatin dhe ligjin për përckatimin e juridiksionit të gjykatësve dhe prokurorëve të EULEX-it, të miratura nga Kuvendi i Kosovës.

Interesimi i pjesëmarrësve ka qenë i përqëndruar në punën që do ta bëjnë prokurorët dhe gjykatësit e EULEX-it në lëndët rreth krimeve të rënda, krimit të organizuar dhe korrupcionit.

Ndërsa, drejtues komunal dhe rajonal të policisë, prokurorisë dhe gjyqësisë janë shprehur se që nga ardhja e stafit të EULEX-it muaj më parë, ata kanë vendosur marrëdhënie korrekte dhe presin që bashkëpunimi i tyre të jetë në suaza të qarta të këtij misioni.

Ky projekt mbështet financiarisht nga Qeveria gjermane dhe britanike, si pjesë e programit të përbashkët të punës së FIQ dhe Saferworld të quajtur ‘Vend i Sigurtë’.
Debatet e radhës do të mbahen sipas kalendarit: në Obiliq më 31 tetor, Mitrovicë më 6 nëntor në hotel “Palace”, Prishtinë më 10 nëntor në hotel “Grand”, ndërsa në Graçanicë mbetet për t’u konfirmuar.